Këshillat e një nëne për të bijën e saj adoleshente(pjesa e katërt)

E di që të organizosh mirë shkallën e vlerave të tua duhet jo vetëm ta njohësh veten mirë e të jesh e prerë në gjykimin e karakterit tënd, por të njohësh në veçanti të tjerët, të njohësh sa më shumë historinë e botës:

të kaluarën, të tashmen, dhe zhvillimet e së ardhmes. Pra, me pak fjalë: të zbulosh, të kuptosh. Mos i mbyll veshët në asnjë mënyrë para asgjëje; dhe as mos i përjashto mendimet dhe opinionet e cilitdo që të ka prekur a ndoshta të ka lënduar thellë. Vëzhgo, mendo, kritiko, po, po, kritiko sidomos veten, dhe mos ki turp të pranosh një të vërtetë që ti ke arritur ta kuptosh, edhe nëse kohë më parë ti vetë ke deklaruar të kundërtën; mos u bëj kokëfortë në opinionet e tua, por kur ke arritur ta konsiderosh diçka si të drejtë, atëherë ji aq e vendosur sa të mund të luftosh e të vdesësh për të. Siç ka thënë Wolker[1]: “Vdekja nuk është e frikshme! Vetëm mundohu të shmangësh vdekjen e ngadaltë, e cila ndodh kur dikush e gjen veten të shkëputur nga jeta e përditshme e të tjerëve…” Ti do t’i hedhësh rrënjët e tua aty ku fati ka vendosur për ty të jetosh. Ti duhet ta gjesh rrugën tënde. Kërkoje atë e pavarur dhe mos lejo asgjë të të kthejë mbrapsht, as kujtimi i nënës apo babait tënd. Nëse i do ata me të vërtetë, nuk i lëndon aspak kur i vështron me sy kritik – thjesht mos shko në një rrugë të gabuar, të pandershme e që nuk harmonizohet me jetën. Unë kam ndërruar mendje disa herë dhe i kam rishikuar shumë vlera, por ajo që më mbeti si vlerë thelbësore, pa të cilën unë s’mund ta përfytyroja jetën time, ishte liria e ndërgjegjes sime. Do dëshiroja që edhe ti e vogla bija ime, të mendohesh nëse unë e kisha drejt./Vazhdon….